Vdes nënkryetari i Shkupit, Enver Maliqi

Ka vdekur nënkryetari i Komunës së Shkupit, Enver Maliqi.

Lajmin e ka bërë të ditur Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Grubi në Facebook ka thënë se Maliqi ishte shok i të gjithëve e bamirës.

“Lajm i trishtë që në mëngjes, Enver Maliqi, nënkryetar i qytetit të Shkupit, bëmirës, shok i të gjithëve, paska ndërruar jetë. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe për miqtë e tij të shumtë. Do të mbahet mend emri dhe vepra e tij e mungesa e tij do të ndjehet shumë nga të gjithë ne. Pusho i qetë Xhaxh”, ka thënë ai.
Gjatë vitit 2017, kreu i Bashkisë së Shkupit, Petre Shilegov e emëroi zëvendës të tij, ndërsa në zgjedhjet e fundit, Maliqi u zgjodh këshilltar në Bashkinë e Shkupit nga lista e BDI-së.

Ai po ashtu ishte drejtues i kompanisë ‘Gemak trejd’ dhe pronar i hotelit ‘Park’ në Shkup.

Lajmin e vërtetoi edhe familja e tij duke thënë se varrimi do të bëhet sipas protokolleve të Ministrisë së Shëndetësisë kundër COVID-19

Biznesmeni Enver Maliqi njihet si kontribues i shumë aktiviteteve kulturore, sportive dhe humane.

Ndërkohë kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, nëpërmjet një statusi shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta, të nënkryetarit të Shkupit.

“Pikëllues lajmi për vdekjen e Enver Maliqit, nënkryetar i Shkupit.Ngushëllime për familjen, miqtë, qytetarët dhe institucionet e Bashkisë së Shkupit. U prehtë në paqe”, shkruan Haradinaj.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sipas protokolleve shëndetësore, në varrezat e qytetit në Butel në ora 13:45, njoftojnë familjarët.

Leave a Comment

Your email address will not be published.