Autoritetet myslimane kanë diskutuar rregulloret për lutjet online dhe ndalimin e darkave publike pas perëndimit të Diellit për ritin e agjërimit, që nis këtë javë. Shumë xhami janë të mbyllura dhe rekomandohen vaksinat.
Muaji i Ramazanit filloi të hënën (12.04) për disa vende në Amerikë dhe të martën (13.04) për pjesën më të madhe të botës. Koha e saktë e fillimit varet nga shfaqja e Hënës së re, në shumicën e vendeve myslimane pas daljes së Hënës së re në Arabinë Saudite, që përkon të martën. Ramazani është muaji më i rëndësishëm në kalendarin islamik, kur myslimanët besojnë se Zoti ia zbuloi ajetet e para të Kuranit Profetit Muhamed.
Në këtë vit të dytë të pandemisë, rregulloret për Ramazanin duhet të përshtaten.
Për të frenuar numrin e infeksioneve, shumica e vendeve kanë ulur numrin e vizitorëve në xhami në 20-30% të kapacitetit të tyre të zakonshëm. Gjithashtu mbajtja e maskave do të jetë e detyrueshme. Në mënyrë që të shmangen më tej tubimet jashtë xhamive, vaktet tradicionale para lindjes së Diellit dhe pas perëndimit të Diellit, Syfyr dhe Iftar, të cilat shpesh ndaheshin në çadrat publike të Ramazanit, janë të ndaluara në të gjithë rajonin.
Kjo do të ndikojë shumë tek njerëzit në nevojë, të cilët shpesh hanin falas në prishjen e agjërimit. Disa vende, të tilla si Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë premtuar të organizojnë në vend të tyre dërgesat e vaktit të Iftarit për njerëzit e varfër.
Të gjitha autoritetet fetare ndajnë të njëjtin mendim se lutja në shtëpi është opsioni më i sigurtë gjatë muajit të Ramazanit.
Disa lutje mund të transmetohen. “Në Islam, lutja ka dy pjesë. Pjesa e parë është mësimdhënia dhe predikimi nga imami ndërsa besimtarët dëgjojnë,” i tha DW, Sheik Mohammed Abu Zaid, kryetari i Gjykatës Sunite dhe imam i xhamisë më të madhe në qytetin libanez të Saida. “Kjo pjesë mund të bëhet në online”, tha ai. Sidoqoftë, pjesa e dytë, me besimtarët që luten së bashku dhe kryejnë mbledhjen rituale, “nuk mund të bëhet online ose nga një vend i largët”.
Mansour Ali, një pedagog në fushën e studimeve Islame në Universitetin e Cardiff, i tha Al-Jazeera se shumica e studiuesve “mohojnë vlefshmërinë e çdo forme të lutjeve virtuale”. Arsyeja kryesore është se adhuruesit kërkohet të mbahen në të njëjtën hapësirë fizike me imamin, ose udhëheqësin e lutjes.
Klerikët në Egjipt dhe Arabinë Saudite pajtohen me këtë diferencim dhe kanë lëshuar urdhëresa fetare duke deklaruar se lutjet e përbashkëta online nuk janë të vlefshme. Zgjidhja e tyre është më tepër “lutuni në shtëpi me të dashurit”. Nga ana tjetër, një mori videosh dhe udhëzimesh janë publikuar në internet./DW