Vendi i Ambasadës, “varet” nga Izraeli

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, paralajmëroi se do ta shqyrtojë çështjen se në cilin qytet, Tel Aviv apo Jerusalem do të vendoset Ambasada e Kosovës në Izrael, duke thënë se për këtë gjë do të shohin “edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”.

 

Sipas një njoftimi të Vetëvendosjes, këtë deklaratë Kurti e bëri më 1 mars, gjatë takimit me ambasadorin turk në Prishtinë, Çağri Sakar. Megjithatë, Kurti ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme dhe “mundësi e mirë për zhvillim”.

Por, sipas të drejtës diplomatike dhe konsullore, në kuadër të standardit të së drejtës ndërkombëtare publike, përcaktimi i lokacioneve të përfaqësive të huaja diplomatike, është e drejtë ekskluzive kushtetuese dhe sovrane e shtetit që i pranon ato përfaqësi, thotë Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, në këtë rast as Kosova, si vend që pritet të dërgojë përfaqësinë diplomatike në Izrael, nuk e ka të drejtën për të përcaktuar lokacionin apo vendndodhjen e përfaqësisë së saj diplomatike në këtë vend.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, në bazë të rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ende nuk është deklaruar nëse do ta hapë Ambasadën e Kosovës në Jerusalem, pasi të formojë qeverinë e re të vendit.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump. Dokumenti i nënshkruar nga Kosova, parasheh njohjen e ndërsjellë me Izraelin. Ndërkaq, në rastin e Serbisë, zhvendosjen e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Qeveria në detyrë e Avdullah Hotit, kishte deklaruar se do ta hapë Ambasadën e Kosovës në Jerusalem.

Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, formalizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi atë ditë ka deklaruar se ka miratuar kërkesën e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.

Bashkimi Evropian, më 2 shkurt të vitit 2021, ka shprehur keqardhje për vendimin e Kosovës që të hapë Ambasadën e saj në Jerusalem, qytet të cilin BE-ja e konsideron me status të pazgjidhur.

Por, Antony Blinken, Sekretar amerikan i Shtetit, më 19 janar, para se të merrte detyrën aktuale, pati deklaruar që e duartroket “punën që është bërë për Kosovën dhe Serbinë”, nga administrata e presidentit Donald Trump.

Hasani: Lokacionin për Ambasadë e cakton pala mikpritëse

Profesori i të Drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë se në raportet Kosovë dhe Izrael, ka pasur dy akte. E para, sipas tij, më 4 shtator në Uashington, Kosova ka nënshkruar zotimin, që paraqet njohjen ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Izraelit dhe akti i dytë, siç thotë ai, është themelimi i marrëdhënieve diplomatike, në aspektin formal, ndërmjet dy shteteve.

“Në marrëveshje për themelimin e marrëdhënieve diplomatike, palët nuk mund t’i diktojnë njëra-tjetrës lokacionet se ku mund të jenë ambasadat, përkatësisht, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore. Kjo për shkak se atë e përcakton shteti i pranimit, shteti mikpritës, në këtë rast, Izraeli. Çdo shmangie nga ky rregull, nënkupton devijim të politikës bilaterale me Izraelin dhe orientim të Kosovës me vendet e Lindjes së Mesme që kanë orientim islamik”, theksoi Hasani.

Kurti, ndërmjet “dy zjarreve”

Pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, Albin Kurit, i cili është kandidat për kryeministër të vendit, ka marrë letra urimi nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Përderisa Netanyahu i ka shkruar Kurtit se e mirëpret në Izrael “për të inauguruar Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem”, në anën tjetër, Erdogan ka porositur Kurtin që “do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”.

Izraeli e ka njohur Kosovën, pas nënshkrimit të palës së Kosovës të dokumentit me zotime, më 4 shtator në Uashington. Kosova dhe Serbia, sipas zotimeve të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë, ambasadat e tyre duhet t’i hapin në Jerusalem. Përderisa Kosova ende nuk ka përfaqësi diplomatike në Izrael, Serbia e ka Ambasadën e saj në Tel Aviv.

Kalkulime politike?

Zyrtarë nga partia e Kurtit kanë thënë se për çështjen se a do ta hapë Kosova Ambasadën e saj në Jerusalem, do të deklarohen pasi të formohet qeveria. Për, më shumë, lidhur me këtë çështje ata kanë udhëzuar që t’i referohemi deklaratave të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, të cilat i kadhë dhënë më 12 shkurt, në një nga televizionet vendore.

Vjosa Osmani, e cila nga Lëvizja Vetëvendosje është propozuar si kandidate për presidente të Kosovës, nuk ka precizuar nëse Kosova do ta hapë Ambasadën në Jerusalem.

“Në fakt, marrëveshja, në pikën e saj të fundit, thotë që Kosova (Prishtina) dhe Izraeli, pajtohen që të bëjnë njohje reciproke. Askund nuk përmendet Jerusalemi… Ajo çfarë do të ketë rëndësi për ne do të jetë qëndrimi i administratës së re (të ShBA-së), qëndrimi i administratës Biden”, ka theksuar Osmani.

Pas kësaj deklarate të Osmanit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte folur shkurt.

“Unë nuk kam çka i shtoj deklarimit të presidentes (së propozuar nga Vetëvendosje)”, theksoi Kurti më 12 shkurt.

Leave a Comment

Your email address will not be published.