Në hapësirën e kompleksit monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë përuruar shtatoret e tre liderëve historikë, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u shpreh se është kënaqësi që sot ndodhet në Prizren, duke shtuar se ky muaj përkon me shumë përvjetore.
“Jemi pikërisht në një muaj të festave, 28 nëntorit e po ashtu edhe të alfabetit të njësuar”, tha ai.
I pranishëm në përurimin e tri shtatoreve ishte kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh i kënaqur që ndodhet në këtë ditë sot këtu në Prizren.
Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se kjo vepër e sotme është pjesë e përgjegjësive, të vitit ndërkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
“E mira e kësaj vepre të sotme është se kush do që nuk heq dorë prej të drejtës së vet, ajo do të bëhet realitet”, tha Haradinaj.
Në këtë akt solemn e historik i pranishëm ishte edhe Mehmet Prishtina si përfaqësues i familjes së atdhetarit dhe patriotit, Hasan Prishtina.
Ai me këtë rast ka theksuar se në këto momente historike kur përkujtojmë tre figura të mëdha të historisë së popullit shqiptarë vëmë edhe edhe themelet e një të ardhme më të mirë për gjeneratat që vijnë pas nesh.