Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ata të Britanisë së Madhe në Prishtinë dhe Beograd kanë reaguar përmes deklaratave të përbashkëta për situatën në veri të Kosovës. Ambasadorët e SHBA-së dhe Britanisë kanë kërkuar që menjëherë të largohen barrikadat e vendosura në veri.
Serbët vijojnë ende të protestojnë kundër arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç. Ata e kanë shprehur revoltën duke vendosur barrikada. Veriu i Kosovës është ende i bllokuar nga qytetarët serbë. Madje, sipas mediave kosovare, kalimi në vendkalimin Bërnjak dhe Jarinje nuk është i mundur as në këmbë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u bëri thirrje serbëve në veri të Kosovës që të jenë të qetë dhe paqësor. Sot raportohet se shkollat në veri të Kosovës nuk do të jenë të hapura.
Pak pas orës 21:00, breshëri zjarri dhe shpërthimi janë dëgjuar në Rudar afër Zveçanit. Ende nuk dihet se kush ka qëlluar. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka bërë të ditur se është formuar Shtabi i Krizave, i cili do të raportojë rregullisht për gjendjen në terren.
Për shkak të ngjarjeve në Kosovë është mbajtur seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi. Pas seancës së Këshillit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se barrikadat janë shprehje e protestës kundër arrestimit të njerëzve dhe thekson se do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.
Ministrja gjermane: Retorika e Serbisë rrit tensionet në Kosovë
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se paralajmërimet e Serbisë për shqyrtimin e dërgimit të forcave të saj në Kosovë, janë “krejtësisht të papranushme”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të sigurojë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.
Rreth kësaj kërkese nuk pati reagim nga KFOR-i. Paralajmërimi i Vuçiqit erdhi pasi Policia e Kosovës shtoi praninë e saj në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Situata atje ka javë që është tensionuar – fillimisht për shkak të planit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe, pastaj për shkak të zgjedhjeve të planifikuara në atë pjesë, që kundërshtoheshin nga serbët lokalë.
Si pasojë e tensioneve në rritje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu zgjedhjet e parapara më 18 dhjetor për në prill të vitit të arshshëm.
Në një postim në Twitter, Baerbock tha se Kosova i ka ulur tensionet me shtyrjen e zgjedhjeve, por retorika e fundit e Serbisë, sipas saj, bën të kundërtën.
Ministrja gjermane tha se janë “të papranueshme” edhe sulmet mbi misionin e BE-së në Kosovë, EULEX. Një patrullë e këtij misioni u sulmua mbrëmjen e së shtunës me shok bombë nga, siç u tha, persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës.
Ditëve të fundit, atje ka pasur disa incidente me armë zjarri, për të cilat autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale”, të udhëhequra nga Beogradi.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se tashmë grupet kriminale serbe pas shtyrjes së zgjedhjeve në veri s’kanë më asnjë preteks dhe se po kërkojnë kinse gjakderdhje. Kurti siguroi se Policia e Kosovës nuk do të tërhiqet përballë këtyre presioneve.