Vërshime e përmbytje në disa komuna të Kosovës

Reshjet e shiut të cilat filluan të bien që nga e mërkura në mbrëmje, kanë shkaktuar sërish probleme në disa komuna të Kosovës.

Gjendje e rëndë është në fshatrat e lugut të Baranit të Pejës, ku tashmë rrugët e këtyre fshatrave janë bërë thuajse të pakalueshme për shkak të sasisë së madhe të ujit. Banorët thanë se gjendja është shumë e rëndë dhe se shumë familje janë të rrezikuara.

Kurse komuna e Drenasit njoftoi se në lokalitete të ndryshme kanë nisur vërshimet dhe disa rrugë janë bërë gati të pakalueshme. Në një njoftim, Komuna kërkoi nga qytetarët të bëjnë kujdes, teksa ka lënë edhe një numër kontakti për raste emergjente.

“Rruga Drenas-Dobroshec, përkatësisht te ‘Guri i Plakës’, është thuajse e pakalueshme me tendenca të mbylljes. Ndërsa, edhe në Shtrubullovë, shumë shtëpi banimi janë përfshirë nga uji. Për çdo emergjencë, ju lutem lajmërohuni te Zyrtari për Emergjencë, në numrin e telefonit 049978948”, thuhet në postim. Në fakt, shumë komuna, javë më parë u prekën shumë nga vërshimet, përfshirë edhe Drenasin.

Gjendje e rëndë është raportuar edhe në Mitrovicë. Në fshatin Koshtovë të Mitrovicës, uji ka dalë në rrugën e asfaltuar. Lagjet “Latifi” dhe “Binaku”, sot në mëngjes janë zgjuar me sasi të madhe të ujit në rrugë. Sipas banorëve, kjo ka ardhur si pasojë e bartjes së drunjve dhe bllokimit të gypave. Qytetarët kanë thënë se plani ka qenë të ndërtohen ura e jo gypa për zbrazjen e ujit.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime të reja në shumë vende.
“Të enjten parashihet që vendi ynë të ndikohet nga masat e lagështa të ajrit duke krijuar kushte për vranësira të dendura të cilat do t’i takojnë stadit të ulët dhe të mesëm të Troposferës. Kjo situatë e krijuar meteorologjike do të krijojë kushte që të kemi reshje shiu, kurse në viset e larta reshje bore. Reshjet do të përfshijnë gjithë territorin duke rrezikuar disa zona të Dukagjinit nga vërshimet,” thuhet në njoftim.
Më tej, sipas IHK-së temperaturat do lëvizin nga 1 gradë Celsius ajo minimale, në 9 gradë Celsius ajo maksimale.

Leave a Comment

Your email address will not be published.