Një nga vizitat më të çuditshme sekrete në Shqipëri për nga natyra dhe koha e shkurtër se si u zhvillua, ka qenë padyshim edhe ajo e idhullit dhe ikonës komuniste mbarë botërore, Ernesto Che Guevara, i njohur ndryshe në botë si El Comandante.
Vizita e tij do të zhvillohej brenda 2 ditëve (3-5 m ars 1960), por ndryshe nga herët e tjera në këtë vizitë kortezie do të asistonte vetëm Kryeministri Shqiptar Mehmet Shehu dhe një pjesë fare e vogël e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Jashtme shqiptare dhe disa punonjës të ambasadës kubaneze në Tiranë.
Kubanezi me origjinë argjentinase, Ernesto Che Guevara, do të vinte në vëndin tonë pa zhurmë dhe pa bujë aq-sa detajet e vizitës së tij u bënë publike vetëm pas viteve 2000 nga diplomatë dhe zyrtarë të njohur shqiptarë që e shoqëruan Guevarën në bisedën me Kryeministrin Shehu, i cili ndihej fare komod në këtë bisedë për shkak të gjuhës spanjolle që e zotëronte në mënyrë të shkëlqyer që nga koha e Luftës së Spanjës.
Në foton përkatëse duket qartë Ernesto Che Guevara teksa bisedon me delegacionin pritës shqiptar të kryesuar nga Ministri i Drejtësisë, Bilbil Klosi, ambasadori shqiptar në Kubë, Josif Pogaçe, Mihallaq Gjinikasi zyrtar i lartë i Ministrisë së jashtme dhe shoqëruesi Zeqi Agolli.
Ndërsa përsa i përket takimit të Che-së me Mehmet Shehun, sipas dëshmive të kohës në mënyrë të rreptë nuk u lejua asnjë fotografi.
I vetmi episod interesant nga takimi i Guevarës me Shehun është një automatik “Kallashnikov” të cilin Ernesto Guevara ia dhuroi si kujtim Kryeministrit Mehmet Shehu.
Përpos vizitave historike të Kwame Nkrumah liderit historik të Ganës së Afrikës post-koloniale (vizitë e kryer në fillimin e viteve 60-të) dhe Franz Joseph Shtraus-it Kancelarit të Bavarisë (7 muaj para vdekjes së Hoxhës, për arsye shëndetsore) mos-pjesëmarrja në vizitën e Che Guevarës, do të regjistrohej si një nga të rrallat raste ku Enver Hoxha nuk do të spikaste si protagonist i takimit.