Derisa Kosova është në presion ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, vendi ynë mund të mbetet pa presidente.
Krejt kjo, për shkak se katër paragrafë të një vendimi të PZAP, ku pranohej pjesërisht e bazuar ankesa e partive të komuniteteve pakicë për ndërhyrjen që kishte pasur në procesin e votimit Lista Serbe, pritet që t`i japin Gjykatës Kushtetuese argumente të qëndrueshme që dy deputetë nga këto komunitete të shpallen jolegjitim, të paktën kështu po flitet në media, shkruan Syri.net.
Që të dy këta deputetë, kanë marrë pjesë në raundin e parë të zgjedhjes së presidentes së vendit, ku obligative është që në sallë të jenë 80 deputetë.
Ankesa e deponuar dy vite më parë e partive të komuniteteve pakicë për ndërhyrjen që kishte pasur në procesin e votimit Lista Serbe për të zgjedhur presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, është lënda që ka zgjatur më së shumti në historinë e punës së Gjykatës Kushtetuese.
Kështu po e konsideron ish-deputeti Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane.
Ai ka vlerësuar se procesi i verifikimit nuk ishte aq i vështirë sa të konstatohet nëse janë përdorur dy standarde apo jo, dhe e njëjta mund ta rrëzojë presidenten Vjosa Osmani.
Ish-deputeti madje ka shprehur shqetësim për kandidimin në zgjedhjet e ardhshme të partisë Liberale Egjiptiane.
“Ne s’kemi garanci të kandidojmë sërish sepse prapë Lista Serbe do t’i orkestrojë votat dhe do të gjejë njerëz që ju përshtatet atyre, dhe do të ketë deputetë që do të veprojnë në kuadër të politikave të tyre”, tha Berisha – shkruan Syri.net Kosova
Pritja dyvjeçare për konstatimin final të kësaj lënde në Kushtetuese, Berisha tha se ka qenë jashtëzakonisht e rëndë.
Në anën tjetër, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se presidentja mund të rrëzohet nga pozita nëse organi më i lartë juridik i vendit vendos në favor të Veton Berishës, kandidatit për deputet të Kuvendit të Kosovës.
“Kur një autoritet shteti merr detyrën e përcaktuar në Kushtetutë dhe deputetët të cilët kanë votuar nuk kanë legalitet dhe legjitimitet të plotë, atëherë detyra e tyre është e përkohshme. Nëse rastin konkret, kandidati për deputet e fiton, presidentja e shtetit duhet të japë dorëheqje”, ka thënë Kadri Kryeziu.
Edhe ish-kryetarja e Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka kujtuar kohën e rrëzimit të Qeverisë Hoti.
Ajo ka thënë se situata është e ngjashme tash edhe në rastin e presidentes dhe kësisoj mund të shkarkohet edhe ajo.
“Ne kemi pasur tashmë një situatë të tillë, apo pak a shumë të ngjashme me këtë, rasti i ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe besoj që kjo situatë do të ishte bukur shumë e ngjashme edhe me atë situatë dhe me siguri që atëherë presidentja aktuale do të duhej të shkonte në rivotim apo konkretisht do ta humbte mandatin e presidentes sepse nuk do të ishte sigurt a i kishte ato vota të cilat i ka marrë kur është votuar para dy viteve, dhe pastaj do të duhej të shkohej në rivotim”, ka deklaruar Valdete Daka.
Ndonëse disa zyrtarë po e thonë të kundërtën, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të deputetëve Veton Berisha e Albert Kinolli, nuk rrezikohet mandati i presidentes Osmani.
Ai në një postim në Facebook, thotë se nëse ankesa e deputetëve në fjalë rezulton e suksesshme, atëherë mund të ketë revokim të mandatit të një deputeti nga partia Romani Iniciativa, shkruan Syri Kosova.
“Edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos pozitivisht sipas kërkeses së deputeteve Berisha dhe Kinolli të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit AA.nr.29/2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës, si dhe Vendimit Anr.736/2021 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), sipas praktikes së ndërtuar nga vet Gjykata Kushtetuese por edhe standardet ndërkombëtare lidhur me parimin e sigurisë juridike, nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes së Republikës apo qeverisë. Në rradhe të parë, ankesa e dorëzuar nga dy kandidatët për deputetë nëse rezulton e suksesshme, potencialisht mund të revokohet mandati i një deputeti nga partia Romani Iniciativa në dobi të kandidatit për deputet Veton Berisha, për shkak të dyshimeve potenciale për deformim të mekanizmit të ulëseve të garantuara, duke mos anuluar të gjitha votat që subjektet politike të komuniteteve joshumicë kishin fituar nga komunitetet tjera të cilave ata nuk i përkisnin”, ka shkruar ai.