Pas dy raundeve të dështuara në raundin e tretë Vjosa Osmani u bë Presidente e Republikës së Kosovës me 71 vota pro. Nuk mori vota nga tre deputetët e LDK-së Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj ndërsa 11 vota ishin të pavlefshme. Ajo është gruaja e dytë në historinë më të re të Kosovës pas Atifete Jahjagës që bëhet Presidente.
Një ditë pasi dështoi seanca për zgjedhjen e Presidentes në mungesë kuorumi të votave në kuti, Lëvizja Vetëvendosje ishte kujdesur që të sigurojë jo vetëm edhe një por tre deputetë të tjerë. Në seancën e së dielës u panë të kenë hyrë edhe dy deputetë të komuniteteve joserbe që munguan një ditë më parë ndërsa befasia ishte kur u shfaq deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës e cila deri të dielën i takonte Grupit Parlamentar të PDK-së.
Pas dy raundeve të dështuara në raundin e tretë Vjosa Osmani u bë Presidente e Republikës së Kosovës me 71 vota pro. Nuk mori vota nga tre deputetët e LDK-së Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj ndërsa 11 vota ishin të pavlefshme.
Ajo është gruaja e dytë në historinë më të re të Kosovës pas Atifete Jahjagës që bëhet Presidente.
Ka ftuar partitë politike për unitet e tolerancë. Asaj menjëherë ia dorëzoi postin Presidenti në detyrë Glauk Konjufca.
Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku duke i uruar postin e Presidentes, ka kërkuar nga Osmani që të ushtrojë rolin e saj me dinjitet.
Ndërsa Partia Demorkatike e Kosovës ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka hyrë në pazare me deputetë për të siguruar vota për postin e Presidentes.
Duke njoftuar se kanë përjashtuar deputeten Grainca nga partia, kanë akuzuar Kurtin se u ka ofruar familjarëve të Graincës para të majme, privilegje dhe qasje në tendera, akuza këto të cilat i ka mohuar shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari Lila.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se me zgjedhjen presidente të Vjosa Osmanit, nuk ka humbës por se me këtë kanë fituar të gjithë.
Kurti tha se e presin punë të vështira e njëra nga këto është pandemia COVID-19.
Ai theksoi se të gjithë së bashku do t’ia dalin.
“Sonte fituan të gjithë, fitoi shteti i pavarur, fituan qytetarët e vendit, fitoi republika dhe demokracia, fituan deputetët dhe partitë, fitoi kuvendi dhe qeveria. Sonte nuk ka humbës. Sonte fituam të gjithë. Sepse Kosova e fitoi Presidenten e saj, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, së cilës iu lexua emri 71 herë në raundin e tretë në Kuvend, pasi që me 14 shkurt e votuan mbi 300 mijë qytetarë”.
Shkrimi i plotë:
Sonte fituan të gjithë, fitoi shteti i pavarur, fituan qytetarët e vendit, fitoi republika dhe demokracia, fituan deputetët dhe partitë, fitoi kuvendi dhe qeveria. Sonte nuk ka humbës. Sonte fituam të gjithë. Sepse Kosova e fitoi Presidenten e saj, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, së cilës iu lexua emri 71 herë në raundin e tretë në Kuvend, pasi që me 14 shkurt e votuan mbi 300 mijë qytetarë.
Na presin shumë punë të mëdha e të vështira, në ditët e javët e muajt në vijim, në kushtet e një krize të shumëfishtë, ku pandemia e cila na u shtua para një viti është veçse njëra prej tyre. Por, bashkë gjithsesi do t’ia dalim, do të dalim së bashku të suksesshëm, sepse nuk do të ndalemi, sepse do të angazhohemi e kontribuojmë për interesin e përgjithshëm me vullnet të paepur.
Ju falemnderit të gjithëve. U jemi mirënjohës secilit.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka uruar Vjosa Osmanin për zgjedhjen Presidente e Kosovës.
Ai ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës tash të fokusohen në ndërmarrjen e reformave dhe vazhdimin e procesit të dialogut me Serbinë, transmeton KlanKosova.tv.
“Urime Vjosa Osmanit për zgjedhje Presidente e Kosovës, Vendet e BE-së mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, është shprehur Borrell.
“Me institucionet e reja, Kosova tashmë mund të fokusohet vendosmërisht në reformat e nevojshme dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE”.
“Reuters” e nis artikullin duke thënë se Vjosa Osmani, një juriste me profesion, u shkollua në SHBA dhe se ishte kandidatja e Vetëvendosjes për postin e presidentes, njofton Klan Kosova.
“Vjosa Osmani ishte në detyrë si presidente e Kosovës që nga nëntori i vitit të kaluar kur paraardhësi i saj, Hashim Thaçi, dha dorëheqje për shkak se u përballë me gjyq për krime lufte në Holandë”, shkruan Reuters.
Për zgjedhjen e Osmanit presidente shkroi edhe e famshmja gjermane “Deutsche Welle” e cila në rreshtin e parë e quan atë lidere karizmatike.