Vuçiç provokon Kosovën: në Zveçan do të valojë vetëm flamuri i Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është shpallur qytetarë nderi nga komuna e Zveçanit të hënën. Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, lexoi një letër të presidentit Vuçiç, i cili iu drejtua zyrtarëve legalë e ilegalë të kësaj komune duke iu thënë se “derisa t’i ecë atij fjala, flamuri i Serbisë do të valojë në Zveçan”.

“Faleminderit, vëllezër dhe motra dhe që nga sot mund të them, fqinjë të dashur, që më bëtë një qytetar të Zveçanit krenar dhe të fortë, duke u përpjekur çdo ditë të jem i denjë për nderimin që më bëtë”, ka shkruar Vuçiç në letrën që e lexoi Petkoviç.

“Çfarëdo që të flasin gjuhët e liga, dhe ata madje as nuk meritojnë që ne t’ua përmendim emrat në këtë ditë të madhe, Kosova do të jenë, si më parë, mendimi im i parë kur hap sytë në mëngjes dhe mendimi im i fundit kur unë mbylli sytë në mbrëmje”.

Ndërkaq Petkoviç, gjatë vizitës së tij në komunën e Zveçanit ka marrë pjesë në shpërndarjen e kontratave të punës për 65 gra amvise.

Sipas tij, kjo tregon që po zvogëlohet numri i të papunëve në këtë vend.

“Është kënaqësi të marr pjesë në këtë ngjarje dhe të jap kontrata për 65 amvise. Kjo është një gjë humane. Kjo është bërë nga shteti i Serbisë dhe ministria jonë. Ne po zvogëlojmë numrin e të papunëve dhe ne e dimë që ju jeni të zellshëm. Kujdesuni për të moshuarit tanë si për prindërit tuaj. Jam i sigurt se më të vjetrit tanë vijnë në duart e duhura”, ishte shprehur Petkoviç.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ivan Todosijeviç, i cili ka theksuar se angazhimi i grave amvise është i rëndësishëm për qytetarët më të vjetër në moshë.

“Ky është një vazhdim i bashkëpunimit që ka zgjatur për tre vjet dhe angazhimi juaj do të thotë shumë jo vetëm për ju si punëtorë, por edhe për qytetarët tanë më të vjetër”, ka thënë ai.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.