Presidenti serb, Aleksandart Vuçiq, ka kujtuar një takim të Josip Broz Titos me Enver Hoxhën, duke e krahasuar me atë të tijin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, tash 70 vjet më pas.
Në samitin për “Ballkanin e Hapur” në Beograd, Vuçiq tha se takimi i atëhershëm Tito-Hoxha ishte i tensionuar, por se sot me Ramën takimet i ka miqësore.
“Marrëdhëniet tona në Ballkanin Perëndimor midis tri vendeve tona janë në maksimumin e tyre historik. Më kujtohet takimi i parë, tash pas 70 vjetësh, pas takimit të Titos dhe Enver Hoxhës, kur u takuam unë dhe Edi Rama. Ishte një takim me energji të jashtëzakonshme politike dhe diplomatike kurse sot këto takime janë miqësore. Bizneset, qytetarët tanë e kuptojnë shumë më shumë njëri-tjetrin”, tha Vuçiq.
Ndërsa, Rama në fjalën e tij tha se po dëgjon “një gjuhë të çuditshme” në këtë samit, kurse paralajmëroi për kujdes kur në prani janë diplomatë të huaj që mund ta kuptojnë këtë gjuhë.
“Jam shumë i lumtur ta shoh përballë ambasadorin Christopher Hill i cili si të gjithë amerikanët e suksesshëm që vijnë në këtë rajon di edhe gjuhën e tij edhe gjuhën tonë. Prandaj kur flisni në prani të tyre, bëni kujdes se na kuptojnë jo vetëm anglisht por edhe ku flasim në gjuhën tonë”.
Rama lavdëron Vuçiqin: Dha sinjal të qartë paqeje në raport me Kosovën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dhënë merita iniciativës “Ballkani i Hapur” për shumë procese. Aty ka përfshirë edhe arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Rama në samitin që po mbahet në Beograd ka thënë se Kosovës nuk do t’i duhej të humbte aq shumë kohë për ta zgjidhur çështjen e lëvizjes me karta identiteti nëse do të kishte qenë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.
Kryeministri shqiptar ka falënderuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pasi sipas tij, ky i fundit ka treguar qartë se është për paqe dje me gjendjen e qetë që është treguar në kufirin Kosovë-Serbi.
“Dje mund të ishte një tjetër ditë ku mediat të ishin mbushur me lajme shqetësuese për atë që ndodh mes kufirit Serbi-Kosovë. Dita e djeshme tregoi se cila është rruga dhe zgjidhja e Ballkanit të Hapur. E them me krenari se edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është zgjidhje nga Ballkani i Hapur. Nuk do të ishte nevoja që të shpenzohej aq shumë kohë e energji, nëse edhe Kosova dhe vendet e tjera do të ishin në Ballkanin e Hapur. I shpreh respektin tim presidentit të Serbisë që duke e materializuar këtë zgjidhje, ka dhënë një sinjal shumë të qartë për të gjithë, që zgjedhja e parë është paqja, zgjidhja për njerëzit. Kjo nuk zgjidh të gjitha, as nuk e bën çështjen që ne na ndan një çështje të zgjidhur, por kjo është rruga”, theksoi Rama.