Washingtoni i përgjigjet Vuçiqit për fushatën e çnjohjeve ndaj Kosovës

Zyrtarët serbë në deklarata, asnjëherë me fakte, kanë raportuar shpesh se shtete të ndryshme kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë për fushatën serbe se është shpërqendrim dhe nuk është në frymën e përpjekjeve për të gjetur një mënyrë për të lëvizur përpara, transmeton Zeri.info.

“Nuk kam diçka specifike për të shtuar për ato çfarë ka thënë presidenti Vuçiq. Ajo që mund të them është se për ne ky është shpërqendrim, nuk është në frymën e përpjekjeve për të gjetur një mënyrë për të lëvizur përpara në kuadrin e asaj që ka propozuar BE-ja. Nuk po na afron më pranë arritjes së aspiratave euroatlantike që udhëheqësit e të dyja vendeve kanë thënë se dëshirojnë të përmbushin. Dhe sërish, mendoj kjo është ajo tek e cila duhet të përqendrohemi dhe jo tek shpërqendrimet e këtilla”, deklaroi Cholleti.

Sa i takon propozimit frano-gjerman për Kosovën, Shcollet tha se detajet e negociatave duhet të liheshin pas dyerve të mbyllura por shtoi se do të jetë e nevojshme që udhëheqësit e dy vendeve, Serbisë dhe Kosovës, duhet të marrin vendime të vështira për të cilat nevojitet kurajo.

“Nuk dua të merrem me detajet e asaj çfarë ka propozuar BE-ja. Mendoj se ndonjëherë, në çfarëdolloj negociatash, është më mirë që këto detaje të lihen pas dyerve të mbyllura, deri në momentin kur të jenë gati. Por, mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajo nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre. Dhe të dy udhëheqësit, në Kosovë dhe Serbi, kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë në rrugën drejt integrimit më të madh në komunitetin euroatlantik. Ne e mbështesim së tepërmi këtë dëshirë. Duam t’i shohim që të ndërmarrin hapa për ta arritur këtë objektiv dhe duam të bëjmë çfarë të mundemi që t’i ndihmojmë ta realizojnë këtë”- shtoi Shcollet.

Leave a Comment

Your email address will not be published.