Aleksandër Vuçiç ka dalë nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare i irrituar dhe ka zbuluar arsyen e vërtetë të përplasjes që po ndodh sot me Kosovën.
Vuçiç e ka refuzuar dje në mëngjes, e menjëherë pas tij Albin Kurti ka marrë vendimin për të rikthyer reciprocitetin. Pra nuk është fare një vendim i njëanshëm i Prishtinës, po i dakorduar nga fuqitë më të rëndësishme të botës perëndimore, SHBA e Britania e Madhe, e tre më të fuqishmet e BE-së: Gjermania, Franca dhe Italia.
Vuçiç në konferencën për shtyp që mbajti pas mbledhjes së Sigurimit Kombëtar ku thirri krerët e policisë, ushtrisë e shërbimit sekret BIA, nuk dha detaje kush ishte ky “propozim poshtërues”, por që merret me mend që është pranimi eksplicit i Kosovës si shtet i pavarur.
Vuçiç ka deklaruar se Këshilli i Sigurisë i ka dhënë miratimin për ta refuzuar propozimin e vendeve të Kuintit.
Presidenti serb tha se ushtria është në gatishmëri të lartë, por shtoi se nuk do të ndërhynte ushtarakisht.
“Ne kemi arritur në përfundimin, se Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë së plotë për serbët në Kosovë. Deklaratat në të cilat na barazojnë dhe thonë se të dy vendet janë fajtore, janë të papërshtatshme”, tha ai.
Vuçiç tha se propozimi është një dëshirë që e duan 70% e banorëve të Kosovës, çka përbën qartasi logjikën e njohjes së shtetit të Kosovës.
“Unë thjesht refuzova sepse jam lodhur nga politika e aktit kryer”, shtoi Vuçiç.
I pyetur për të komentuar deklaratën e Zv/kryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi se nuk do të krijohet Asocacioni i Komunave,Vuçiç tha se kjo deklaratë është thelbi.
Që do të thotë se Albin Kurti nuk e ka pranuar Zajednicën.
Vuçiç donte të tregonte një provë force pasi përveç krerëve të ushtrisë e policisë, Shefin e Shtabit Milan Mojsiloviç dhe Drejtorin e BIA -s Bratislav Gasiç, ka thirrur në takim edhe kreun e listës serbe dhe ministër i qeverisë së Kosovës, Goran Rakiç.
Si masë kundërshtuese ndaj targave, Vuçiç ka paralajmëruar jo masa ushtarake por “politike e ekonomike”, megjithatë nuk i ka specifikuar./Pamfleti