Në Kukës, është inauguruar busti i heroit, Hasan Prishtina. Ky aktivitet është realizuar nga Bashkia e Kukësit, në bashkëpunim me Fondacionin “Hasan Prishtina” në shënimi e 150 vjetorit të lindjes e 90 vjetroit të vdekjes së heroit.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Albert Halili, tha se inaugurimi i bustit të Hasan simbolizon përjetësinë e sakrificave dhe guximit të tij në rrugën drejtë lirisë së Kombit dhe vendosja e bustit në qytetin e Kukësit vjen si amanet e simbol i asaj që heroi kombëtar nuk i përkiste vetëm Kosovës por gjithë Shqipërisë.
“Ky bust simbolizon përjetësinë e sakrificave dhe guximit të tij në rrugën drejtë lirisë së Kombit. Vendosja e bustit në qytetin e Kukësit vjen si amanet e simbol i asaj që heroi kombëtar nuk i përkiste vetëm Kosovës por gjithë Shqipërisë. Jemi krenar që institucionet tona si Pallati i Kulturës mban emrin e heroit kombëtar Hasan Prishtina”, tha ai.
Nip i heroit kombëtar, Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina, tregoi për aktivitetet e Hasan Prishtinës, me ç’rast Kukësin e konsideroi si udhëkryq të ideve patriotike të Hasan Prishtinës.
“Ku më mirë se në Kukës ndodhet Hasan Prishtina sepse këtu i kishte udhëkryqin e të gjitha ideve patriotike, pasi që në memorien kolektive të popullatës së Kukësit, ai la gjurmë historike e që e kujtojnë më së miri kuksianët, tropojanët e dibranët. Përpjekja e tij nuk ishte e rastit vetëm në këtë zonë sepse ishte brezi kufitar dhe ai luftonte që këta kufi, kundër vullnetit të popullit tonë e vendosi pa dëshirën tonë por që askush nuk mund ta mohojë vullnetin dhe dëshirën e bashkimit që do ta kemi mundësinë ta bëjmë si komb”, tha Prishtina.
Nënkryetarja e Bashkisë së Kukësit, Elgita Bilalli, foli për historikun heroit Hasan Prishtina ku dhe tregoi se idetë revolucionare demokratike Hasan Prishtina i mori në Selanik gjatë shkollimit të tij, ku u përgatit me njohuritë mbi modernizmin evropian të kombeve, dhe atë në frymën e Revolucionit Demokratik Borgjez Francez
“Hasan Prishtina lindi më 1873 në Vuçiternë në një familje me tradita të larta patriotike. Shkollën fillore dhe disa klasë të gjimnazit i mbaroi në vendlindje. Në qytetin e tij të lindjes dhe në shkollë njihej me emrin Hasan Vuçiterni, dhe meqë rridhte prej një familjeje e cila kishte arritur autoritet dhe pushtet, ai shkoi së pari në Selanik ku përfundoi liceun freng, ndërsa, studimet e larta ato të shkencave politiko-juridike i kreu në Stamboll. Në vitet 1908-1912, u zgjodh deputet i Prishtinës në Parlamentin osman dhe prej këtu edhe mbajti dhe u nënshkrua me mbiemrin Prishtina. Në Parlamentin turk, ai u angazhua hapur së bashku me deputetët tjerë shqiptarë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Idetë revolucionare demokratike Hasan Prishtina i mori në Selanik gjatë shkollimit të tij, ku u përgatit me njohuritë mbi modernizmin evropian të kombeve, dhe atë në frymën e Revolucionit Demokratik Borgjez Francez. Meqenëse rridhte nga një familje e cila ishte në pozita të larta dhe me shumë ndikim në Vilajetin e Kosovës së atëhershme, për një kohë të shkurtër arriti edhe në pozitën e kryekonsullllit të shtetit të Turqisë. Kështu, ai mjaft herët u njoh me mekanizmin dhe nevojat e shtetit si organizëm kombëtar”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, vendosjen e bustit në Kukës e konsideroi si zbehje të kufitit në Morinë, për cka e falënderoi Bashkinë e qytetarët kuksian.
“Kjo që po ndodh sot është një respekt ndaj historisë sonë të përbashkët. Vendosja e këtij busti në vetvete do të thotë zbehje e kufirit në Morinë, prandaj dua ta falënderoj Këshillin e Bashkësisë për vendosjen e bustit të ideologut. Ideologji e cila u pasua deri në përfundimin e luftës sonë çlirimtare, me ç’rast kuksianët siç ishin në kohën e Hasan Prishtinës, ofruan bukë e ngrohtësi e në mesin e tyre që e përjetoi këtë ngrohtësi e keni gjeneralin e Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtakun”, tha Nura.