Në Serbi është zhvilluar sot seanca e veçantë në parlament ku është folur për raportin e negociatave me Kosovën. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka prezantuar një plan prej dhjetë pikash për politikën e Serbisë në periudhën e ardhshme.
Ai foli edhe për planin franko-gjerman duke thënë se pika katërt e tij ku thuhet se ‘Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare’, është më e vështira.
Pikat e prezantuara nga Vuçiç:
Pika 1: Politika jonë do të jetë ruajtja e paqes dhe stabilitetit. Me çdo mjet dhe me çdo kusht do të përmbahemi dhe s’do t’i përgjigjemi provokimeve nëse nuk kërcënohet jeta dhe prona e njerëzve, sepse paqja dhe stabiliteti nuk janë sllogane, është diçka që sjell jetë në Serbi, e cila na lejon të ruajmë mbijetesën biologjike të popullit tonë.
Pika 2: Këmbëngulja në formimin e AKS’së, e cila duhet të jetë kornizë ligjore dhe fizike për të drejtat e popullit tonë dhe organizimin e tyre në Kosovë dhe Metohi, me mbështetjen e Serbisë, të cilën askush nuk duhet ta pengojë.
Pika 3: Siguri për serbët në Kosovë dhe Metohi, që askush të mos shqetësohet kur fëmija dërgohet në shkollë, sepse ka emër dhe mbiemër serb.
Pika 4: Jetë më e mirë për popullin tonë në Kosovë dhe Metohi
Pika 5: Të diskutohet dhe negociohet për të gjitha temat që kanë të bëjnë me të gjitha çështjet kyçe lidhur me bashkëpunimin e serbëve dhe shqiptarëve se në çfarë mënyre përfaqësohen ata në ndonjë organ.
Pika 6: Ruajtja e interesave tona jetike shtetërore dhe kombëtare, ruajtja e vendimmarrjes sonë të pavarur, që askush të mos na ndërhyjë, të mos shkojmë në Uashington, Moskë apo Bruksel për të marrë mendim, që vendimet merren vetëm në Serbi, duke respektuar Kushtetutën e Serbisë.
Pika 7: Interesi ynë jetik është të qëndrojmë në rrugën evropiane sepse rruga evropiane nënkupton investime dhe standarde, paga dhe pensione.
Pika 8: Rritja e Serbisë, energjia, ushqimi dhe ushtria, ku ushqimi është shumë i rëndësishëm, ushtria duhet të jetë dy-tre herë më e fortë se sot, sepse e ka ruajtur popullin tonë në Kosovë e Metohi. Ne kemi nevojë për zhvillimin e shëndetësisë, në të cilën duhet të investojmë më shumë.
Pika 9: Vazhdimi i bisedimeve, nuk i ndalim bisedimet, sepse do të ishim plotësisht të izoluar, askush nuk do të fliste me ne dhe nuk mund të funksionojmë vetë në botën moderne.
Pika 10: Pavarësisht të gjitha krizave, pagat do të rriten, do të arrijmë në disa vende të BE-së dhe kjo do t’i kthejë njerëzit në Serbi.
Konfliktohen fizikisht deputetët në Serbi
Seanca plenare u shoqërua me debate e përplasje verbale dhe fizike mes deputetëve të opozitës dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Vuçiç në këtë seancë ka folur për planin evropian – apo franko-gjerman – për normalizimin e raporteve me Kosovën, teksa opozita e ka cilësuar këtë plan si “kapitullim për Serbinë”. Gjatë seancës, deputetët e opozitës kanë brohoritur slogane sikurse “Tradhti”, “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Nuk do të heqim dorë nga Kosova”. Ata po ashtu mbanin pankarta me mbishkrimin “Jo kapitullimit”.
Propozimi i BE-së, apo siç njihet ndryshe si plani franko-gjerman, mbështetet edhe nga SHBA, ndërsa nuk është bërë publik por u është dërguar vetëm palëve. Sipas asaj që kanë raportuar mediat, në atë dokument nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara. Por, plani përcakton se palët duhet t’i japin njëra-tjetrës mbështetje në procesin e integrimeve evropiane, ndërsa Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Çfarë është në rendin e ditës?
Deputetëve do t’u prezantohet raporti për procesin e negociatave me autoritetet e Kosovës në periudhën nga 1 shtatori i vitit 2022 deri më 15 janar të vitit 2023. Raporti është dorëzuar në Kuvend nga Qeveria e Serbisë. Në atë raport nuk përmendet propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Çka është plani franko-gjerman?
Plani franko-gjerman tashmë është bërë propozim i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ky dokument ka marrë mbështetjen edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky plan nuk është bërë publik, por ai iu prezantua Beogradit dhe Prishtinës, në shtator dhe dhjetor të vitit 2022. Në atë dokument, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje më herët, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara. Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Nga e dimë që Vuçiç do të flasë për planin?
Këtë e ka konfirmuar, në Tëitter, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në një ndër bashkëbisedimet e tij me Boshko Obradoviçin, kreun e partisë së djathtë opozitare Dveri.
Çfarë tha Vuçiç para se të vinte në Kuvend?
Një ditë para seancës së Kuvendit të Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha se nuk beson se në seancë do të arrihet uniteti lidhur me planin për Kosovën. Gjithashtu, ai theksoi se nuk ka afate kohore për pranimin e planit franko-gjerman. Më herët, ai ka deklaruar se do t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të deputetëve në Kuvend. Partia Progresive Serbe e Vuçiçit, bashkë me partnerët e koalicionit, ka 159 nga 250 deputetë në Kuvend.
Çfarë ka deklaruar Vuçiç për planin franko-gjerman?
Më 20 janar, presidenti i Serbisë u takua me ekipin diplomatik evropian-amerikan në Beograd. Pas bisedës me këtë ekip, ai deklaroi se Serbia është e gatshme të pranojë konceptin dhe të punojë për zbatimin e planit evropian.
Tri ditë më vonë, ai informoi opinionin se ekipi i diplomatëve i kanë thënë se, në rast se nuk e pranon planin franko-gjerman për Kosovën, Serbia do të përballej me ndalimin e integrimeve evropiane dhe investimeve, si dhe se do të rrezikohej regjimin pa viza me BE-në.
Cili është qëndrimi i opozitës pro-evropiane?
Përfaqësuesit e partive opozitare pro-evropiane në Kuvendin e Serbisë kanë thënë se, para se të vendoset nëse do ta mbështesin planin franko-gjerman, është e nevojshme që autoritetet në Serbi ta publikojnë atë. Ata këmbëngulin që të njihen me propozimin e Brukselit për Kosovën, në mënyrë që të deklarohen për të. Ky bllok i partive ka 51 deputetë.
Cili është qëndrimi i opozitës së djathtë?
Blloku i partive opozitare me orientim të djathtë, të përfaqësuara në Kuvendin serb, ka paralajmëruar një tubim “të madh kombëtar” kundër propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e marrëdhënieve me Kosovën. Për ta, propozimi franko-gjerman është “kapitullim” dhe “dorëzimi i Kosovës”. Partitë e djathta opozitare në parlament, Dveri, koalicioni NADA (Shpresa) dhe Zavetnici (Të betuarit), kanë 35 deputetë.
Çfarë pritet nga Beogradi dhe Prishtina?
Ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë angazhuar muajt e fundit për të përfunduar këtë proces. Për këtë qëllim, propozimi evropian, i njohur si propozimi franko-gjerman, iu dorëzua dy palëve. Ekipi i diplomatëve, gjatë muajve të kaluar, ka vizituar disa herë Prishtinën dhe Beogradin.
Kosova dhe Serbia, që nga viti 2011 po zhvillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh. Muajt e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve u karakterizuan me incidente dhe tensione.