Drejtori i Fondacionit “Hasan Prishtina” me bashkëpunëtorë, bëjnë homazhe në Makovc të Malësisë së Gollakut

Mehmet Prishtina, fjalë rasti kushtuar të rënëve për liri në Malësinë e  Gollakut

 

Po bëhen 25 vite që kur kujtesa jonë kolektive vazhdon t’i ruaj të freskëta ngjarjet e sprovat që i sollën jetës sonë plot trishtim e dhembje. Muajt mars, prill, maj e deri në fillim të qershorit  të vitit 1999, do të ngelin si momentet më të vështira që iu kishin sjellë njerëzve të kësaj ane shumë tragjedi e vuajtje. Në ditët e 17,18,19, 20 dhe 21 prillit të vitit 1999, për shumë familje dhe banorë të trevave të Llapit e Gollakut që kishin marrë rrugën e shpëtimit përmes fshatrave Koliq, Grashticë, Makoc e Llukar, u shndërruan në ditë tmerri e krimi të paparë. Ushtria policia dhe paramilitarët serb në pritën që u kishin bërë, vranë dhe masakruan më se 124 qytetarë, në mesin e tyre fëmijë, vajza, djem, gra e pleq. Më 18 prill 1999 filloi ofensiva e forcave serbe që hasi në rezistencën e UÇK-së. Nga kjo ofensivë u vranë pjesëtarë të UÇK-së, por edhe mbi 120 civilë në fshatrat e Gollakut. Ranë dëshmorë edhe Isa Kastrati,  bashkë me dy luftëtarë të rinj, Sokol Sopi dhe Afrim Vitia. Në Grashticë forcat serbe i vranë, ose i rrëmbyen disa fshatarë, si Shqipja, Latifi, Fatmiri, Rasimi, Ibrahimi, Fehmiu, Avdushi, Nysreti, Ilazi, Ismaili, Isa, Hajrizi, Bashkimi, Tahiri dhe Murati.

Historikisht është e njohur se morali i ushtarëve serbë është shumë i dobët në dy moment: kur humbasin luftën dhe kur ndodhen para civilëve të paarmatosur.

Pas 24 marsit të 1999-tës, kur bombardimet e NATOS po i shkaktonin dëme në njerëz dhe në teknikë ushtrisë pushtuese serbe, kjo e fundit nuk zgjidhte mjet e metoda që të hakmerrej. Kjo ndodhte edhe atëherë kur forcat serbe humbnin betejat karshi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mllefin e vet e shfrynin mbi popullatën civile duke filluar nga fshati Grashticë, Makovc dhe Llukar, aty ku barbarët serbë nuk kursyen as fëmijët në moshë minore e as të vjetrit në moshë të shtyrë .

Si pasojë e kësaj barbarie u vranë 15 persona në Makovc. Prej tyrë, siç dihet,  në varrezat e Makocit,  janë varrosur Latif Krasniqi 18 vj. dhe Shqipe Krasniqi 16 vj. fëmijët e Nezir Krasniqit, dhe nipi e mbesa e Ramadan, Nazmi dhe Osman Krasniqit.

Sot kur po i përkujtojmë të gjithë këta heronj dhe martirë të Kosovës, një pyetje që shtrohet vetvetiu është: A po bëjmë mjaftueshëm si shtet dhe si shoqëri për të nderuar dinjitetshëm kujtimin për të gjithë ata që sollën lirinë e Kosovës?

Në kohën kur çlirimtarët tanë po ballafaqohen me drejtësinë në Hagë, ne si shoqëri, si institucione dhe si botë akademike e universitare nuk kemi treguar kujdes të mjaftueshëm ndaj ngjarjeve e personave mbi të cilët u ngritën themelet e shtetit të lire e të pavarur të Kosovës.

Edhe kjo zonë e Gollakut që nuk u kursye nga barbaritë serbe, do të duhej ta ketë një vend të posaçëm në arkivat e kujtesës institucionale. Sepse të gjithë ata popuj të civilizuar që nuk duan t’iu përsëritet historia, bëjnë çmos që ta trajtojnë me dinjitet të kaluarën..

Për hir të atyre që u flijuan para 25 viteve dhe në emër të pasardhësve të tyre, nga këtu po bëjmë apel që shteti i Kosovës sa më shpejt të ngrejë infrastrukturën e duhur ligjore për t’i dhënë përgjigje të merituar gjenocidit serb të ushtruar mbi shqiptarët.

  1. 04. 2024, Makovc – Malësi e Gollakut

Leave a Comment

Your email address will not be published.