Mehmet Prishtina: Fjalë rasti në promovimin e librit “Qeverisja e Shqipërisë Gjatë Luftës së II-të Botërore 1939-1944” të autorit Gjet Ndoj

 

Është koincidencë promovimi i Librit “Qeverisja e Shqipërisë Gjatë Luftës së II-të Botërore 1939-1944” i autorit Gjet Ndoj, në sallën e madhe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina’, këtij universiteti që me krenari mban emrin e Heroit Kombëtar, Kryeministrit të VIII-të të Shqipërisë Hasan Prishtina. Jemi në kohë të liga, pikërisht kur do duhej të mburremi e të krenohemi me emrat e heronjve tanë, për çudinë e të gjithëve, drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me miratimin edhe të pushtetit aktual po bëjnë përpjekje për heqjen e emrit të Heroit Kombëtar Hasan Prishtina nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ky do të ishte një precedent i keq e i rrezikshëm sepse një qeverisje tjetër të në të ardhmen do të nxjerr një vendim për kthimin e emrit të Heroit Kombëtar Hasan Prishtina në universitet. Kjo loje me emrat e heronjve nuk i bën nder Kombit, përkundrazi këto janë veprime qyqare e dashakeqëse. Shfrytëzoj rastin t’i beje thirrje deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të cilët janë prezent në këtë promovim, z. Avni Dehari dhe z. Gani Krasniqi, që ta kundërshtojnë dhe të mos e votojnë draft statutin e propozuar të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sepse më këtë draft statut parashihet heqja e emrit të Heroit Kombëtar Hasan Prishtina nga ky universitet.

Është nder i madh që në këtë promovim libri të kemi prezent përfaqësuesit e familjeve të heronjve Isa Boletini e Azem Bejtë Galica, profesor, intelektual dhe student të fushave të ndryshme.

Promovimi i Librit “Qeverisja e Shqipërisë Gjatë Luftës së II-të Botërore 1939-1944” i autorit Gjet Ndoj, pasqyron në mënyre kronologjike qeverisjen e shtetit shqiptar përgjatë Luftës se II-të Botërore duke paraqitur format qeverisëse, ndërtimin e shtetit  në periudhën e pushtimit Italian, deri të krijimi i “Shqipërisë Etnike”, arsimi shqiptar përgjatë Luftës se Dyte Botërore, po ashtu në këtë libër mund të lexoni fakte rreth qeverise “Libohova”, “Bushati”, “Libohova 2”, krijimi i institucioneve të shtetit të pavarur Shqiptar, rreth kabinetit “Mitrovica” qeverisje kjo nen udhëheqjen e Rexhep Mitrovicës, po ashtu në këtë libër trajtohet shpëtimi i hebrenjve në Shqipërinë Etnike, vepër e elitës qeverisëse shqiptare, ku kontribut të madh ne shpëtimin e hebrenjve ka dhëne Rexhep Mitrovica, Xhefer Deva, Tafil Boletini e shume e shumë intelektual të tjerë elitar.

Rexhep Mitrovica, është një figurë madhore, komplekse e dramatike, luftëtar i orëve të para për krijimin e Shqipërisë etnike, personalitet i shquar dhe i veçantë i luftës për liri, demokraci dhe bashkim kombëtar; intelektual i mirëfilltë, drejtues e edukator, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912, në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, deputet i Pejës e Gjakovës në Parlamentin Shqiptar, ministër i Arsimit (1922-1924), reformator i arsimit kombëtar, kryetar i organizatës “Lidhja Popullore Shqiptare” me seli në Mitrovicë, kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe Kryeministër i Shqipërisë.

Xhafer Deva si pjesë e kabinetit të Rexhep Mitrovicës në vitet 1943-44, nuk ka pranuar të bashkëpunojë me qeverinë gjermane për çështjen e hebrenjve, por ka luftuar serbët. Ka pasur një marrëveshje me Hitlerin që shteti shqiptar të jetë i paanshëm por Deva nuk ka pranuar që t’i dorëzojë hebrenjtë shtetit gjerman, dhe është vënë në mbrojtje të tyre. Xhafer Deva ka qenë antikomunist dhe donte të krijonte Shqipërinë Etnike. Ai ka luftuar kundër çetnikëve serbë kundër copëtimit të Shqipërisë.

Bazuar në dokumentet e kohës, edhe Tafil Boletini prej një intelektuali e patrioti, kishte dhënë kontribut në shpëtimin e hebrenjve në Prefekturën e Elbasanit në vitin 1943, atë kohë prefekt i qytetit të Elbasanit. Në disa nënshkrime të tij shihen në detaje lista me emra fëmijësh, të rriturish, letërnjoftimet e tyre, që për t’i shpëtuar gestapos, me iniciativën e Tafil Boletinit ju ndryshohet vendlindja, profesioni. Kërkesës së kuesturës gjermane për emigrantet atë kohë për Elbasanin, Tafil Boletini i përgjigjet me një shkresë zyrtare ku shkruan përbri emrave, e datëlindjeve të hebrenjve, edhe profesionet: lindur ne Prishtine; profesioni: tregtar, shtëpiake, nxënës, e kështu me radhë. Letra i drejtohet Ministrisë së Brendshme në Mars 1943 dhe mban firmën e Prefektit Tafil Boletini

Autorin e përgëzoj për punën e palodhshme dhe uroj që krijimtaria e tij të shtohet me botime të vyeshme.

Prishtinë, 16 prill 2024

Leave a Comment

Your email address will not be published.