Asnjë emër nuk i tejkalon provincializmat sikurse emri i Hasan Prishtinës me veprimtarinë e tij gjithëpërfshirëse kombëtare

Për herë të parë kur e kam dëgjuar këngën e bukur të luftës çlirimtare “Kreshtat e Kosovës”, jam çuditur pse në vend të refrenit: “gryka jonë e skuqur ngjallë Azem Galicën” nuk ishte/është refreni: “gryka jonë e skuqur ngjallë Hasan Prishtinën”, meqë asnjë emër nuk i tejkalon provincializmat sikurse emri i Hasan Prishtinës me veprimtarinë e tij gjithëpërfshirëse kombëtare

Shkruan Fatmir LEKAJ

Në mesin e shumë protagonistëve – intelektual të lëvizjes kombëtare shqiptare, Naum Veqilharqi, Abdyl Frashëri, edhe Hasan Prishtina mund të cilësohen si tre kryeprotagonistët që kanë pasur më së shumti ndikim si individ (njëri pas tjetrit) në kuadër të tri fazave të lëvizjes kombëtare shqiptare, dhe rrjedhimisht në kuadër të procesit të kombformimit dhe mobilizimit kombëtar shqiptar. Për më tepër Hasan Prishtina është edhe kryeideologu i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirimin e Kosovës me vise pas vitit 1912, i cili përveçse inspiroi dhe inkurajoi shumë të tjerë (për vazhdimin e përpjekjeve për çlirimin e Kosovës me vise), i përfaqësoj dinjitetshëm këto përpjekje, qoftë në aspektin diplomatik si fillimpërpjekje për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare (SHBA-së etj.), qoftë në aspektin e orientimit të duhur politik të grupeve kaçake në Kosovë dhe në vise të Kosovës, dhe qoftë në aspektin e ruajtjes së karakterit çlirimtar të këtyre përpjekjeve për çlirimin e Kosovës: si të drejtuara kundër regjimit të Beogradit dhe jo si të drejtuara kundër popullatës civile serbe në Kosovë. Në lidhje me ketë vlen të shkëpusim një fragment nga libri i historianit Noel Malcolm, i cili përveç tjerash shkruan se kur: “….  Shumica e udhëheqësve politikë të Kosovës të kohës së luftës tashmë ishin larguar nga territori i Kosovës, një grup i tyre, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, u mblodh në Shkodër në nëntorin e vitit 1918 dhe e formoi Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, i njohur më mirë si Komiteti i Kosovës. Hasan Prishtina po bënte përpjekje aktive për të ndikuar në qeverinë amerikane për ta përfshirë Kosovën në shtetin e ri të Shqipërisë, kurse në shkurtin e po atij viti Komiteti Kosovar dërgoi një letër proteste Konferencës së Paqes, në Paris, për shkak të vrasjeve të shqiptarëve në Kosovë… (…) Ç’është e vërteta, Komiteti i Kosovës pjesën më të madhe të energjisë ia kushtoi përkrahjes, deri në një shkallë edhe udhëheqjes së Lëvizjes Kaçake brenda Kosovës. Në fillim të vitit 1919, ky komitet përgatiti një varg rregullash të përgjithshme të lëvizjes, duke filluar me këto dy pika:
“1: asnjë kryengritës nuk bën t’i lëndojë serbët vendës, por vetëm ata të cilët rrokin armët kundër shqiptarëve;
2: asnjë kryengritës nuk bën të djegë ndonjë shtëpi apo të rrënojë ndonjë kishë” .

Çuditërisht, Hasan Prishtinën nuk e kemi nderuar mjaftueshëm dhe siç e meriton, qoftë në situatë të robërisë, qoftë në situatë të luftës dhe krenarisë, dhe qoftë në situatë të paqes. Për shembull për herë të parë kur e kam dëgjuar këngën e bukur të luftës çlirimtare “Kreshtat e Kosovës”, jam çuditur pse në vend të refrenit: “gryka jonë e skuqur ngjallë Azem Galicën” nuk ishte/është refreni: “gryka jonë e skuqur ngjallë Hasan Prishtinën”, meqë asnjë emër nuk i tejkalon provincializmat sikurse emri i Hasan Prishtinës me veprimtarinë e tij gjithëpërfshirëse kombëtare (Kosovë me vise dhe Shqipëri), madje edhe në cilësinë e ish-Kryeministrit të përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës me vise, dhe gjithashtu kryeideolog i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirimin e Kosovës me vise, pas vitit 1912 (që kulmoj me luftën e lavdishme të UÇK-së në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin). Për më tepër, edhe në paqe nuk e kemi nderuar mjaftueshëm dhe siç e meriton, madje një befasi e keqe ndodhi këtë vit, përkatësisht propozimi i turpshëm që ti hiqet Universitetit të Prishtinës, emri Hasan Prishtina. Edhe pse dihet se vetëm kontributi i Hasan Prishtinës për arsimin në kuadër të mobilizimit kombëtar shqiptar, e kualifikon që Universiteti i Prishtinës ta mbaj emrin e tij, e lëre më kontributi i tij i përgjithshëm kombëtar.

Nuk duhet harruar se sado që ndokush mundohet (qoftë për shkak të ndonjë nxitimi naiv, qoftë për shkak të ndonjë qëllimi të dyshimtë), nuk do të mund kurrë të ulë  figurën e kolosit të kombit, Hasan Prishtinës, i cili (përveç kontributit të tij para vitit 1912), me kontributin e tij pas vitit 1912, si kryeideolog i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirimin e Kosovës me vise (që kulmoj me luftën e lavdishme të UÇK-së), është njëherësh edhe sinonim i lirisë/shtetësisë së Kosovës.

Leave a Comment

Your email address will not be published.