Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas zhvillimeve në veri të Kosovës.
Shefi i ekzekutivit, ka shkruar në “Facebook”, se me krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të ketë më shumë polici të Kosovës atje.
“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje”, tha Kurti.
Duke shtuar se do të ketë hetime e ndjekje të kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj.
“Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë”, tha Kurti.