ADEM DEMAÇI – NJË PATRIOT ELITAR I PAVDEKSHËM QË VAZHDON TË VË NË LËVIZJE IDETË TONA KOMBËTARE

Mehmet Prishtina

(Në gjashtë vjetorin e ndarjes nga jeta të Adem Demaçit) Simboli i mendimit dhe veprimit politik e kombëtar, Adem Demaçi, në një fjalim të para disa viteve kishte dhënë përgjigje se nga duhet të shkojnë përpjekjet e shqiptarëve: “Unë jam një ushtar i devotshëm, i papërkulshëm i Hasan Prishtinës. Aty ku e la Hasan Prishtina ne do ta vazhdojmë së bashku, derisa të krijojmë shtresën tonë hasaniste, e atëherë nuk do të ketë fuqi që na del përpara!”. A mundet që kjo porosi madhore e Adem Demaçit të shndërrohet në doktrinë të përbashkët të dy shteteve tona – Shqipërisë dhe Kosovës, duke mbindërtuar edhe ide të reja që do ta bënin më kuptimplot kauzën e përbashkët të shqiptarëve. Parasëgjithash duke hartuar një strategji veprimi për ato tema që janë në harmoni të plotë me interesat jetike të shqiptarëve, por që nuk dalin jashtë projeksioneve eurointegruese të BE-së. Politika e jashtme, arsimi, kultura, ekonomia, turizmi, agrobiznesi, energjetika – janë disa nga çështjet që mund të ngrihen si shtylla të një projekti të përbashkët, për të cilat ka nevojë brezi i tanishëm i shqiptarëve, por mbi të gjitha ka nevojë e ardhmja e përbashkëta e shteteve tona. Nëse dikur Hasan Prishtina në kancelaritë e Evropës artikulonte fuqishëm idetë e një aspirate të përbashkët kombëtare të shqiptarëve të cilën po atakonin shtetet shoviniste fqinje dhe aleatët e tyre evropianë, sot Shqipëria dhe Kosova mund të artikulojnë hasanizmin me kode të reja që i përshtaten rrethanave e konteksteve rajonale e ndërkombëtare. Shtresa jonë hasaniste, për të cilën fliste para disa viteve Demaçi, tani mund të fillojë të fuqizohet, sepse në Tiranë dhe Prishtinë janë dy qeveri legjitime të cilat kanë shanse që të ribëjnë unitetin kombëtar jo me fjalë boshe por me punë konkrete. Edi Rama dhe Albin Kurti kanë nevojë të jenë bashkë në projeksionet e tyre qeverisëse, jo pse me këtë do të fitojnë më shumë vota në kampet e tyre politike, por pse me këtë do t’iu japin shqiptarëve më shumë kredi morale e shpirtërore për një frymëmarrje që do t’ua pastronte mushkëritë nga pluhuri i keqkuptimeve e ngatërresave të kaluara. Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit!

Prishtinë,26.02.2024

Leave a Comment

Your email address will not be published.